River-Boka, në Argjentinë ka veç dashuri dhe urrejtje

Derbi i madh River-Boka u shty dhe skenat e dhunës ndaj autobusit të skuadrës mike ishin të tilla, saqë sulmi ndaj autobusit të Mançester Sitit në Liverpul të duket si lojë fëmijësh. Jo më kot, River Plejt-Boka Juniors quhet “superklasike”, jo më kot mediat sportive të të gjithë botës e vendosin këtë derbi si numrin 1 të të gjithë derbeve në planet, “nëna e çdo derbi”.

Çfarë e bën kaq të veçantë dhe kaq të frikshëm duelin River-Boka?! Asgjë tjetër përveçse gjendjes së vetë Argjentinës, shtetit të madh të Amerikës së Jugut, me emrin kaq të bukur, por me realitetin e shëmtuar.

Ata që bëhen futbollistë profesionistë në Argjentinë i shpëtojnë krimit, burgut apo edhe vrasjes, ata që janë tifozë shfryjnë dufin në stadium dhe jashtë tij për një jetë “prej qeni”, pasi Argjentina është vendi i kontrasteve të mëdha, i pasurisë së skajshme dhe varfërisë prej Migjeni. Jo më kot, shkrimtarët e mëdhenj të Amerikës së Jugut u ngjajnë aq shumë shkrimtarëve të shkëlqyer rusë të shekujve 19-20.

Një në çdo tre argjentinas është i varfër, dhe shumë të tjerë janë shumë pranë “pragut” të varfërisë. Ata nuk shkollohen, gjejnë punë me copa, dhe bëjnë punë që ua sjellin shpirtin në majë të hundës. Këta janë “kontingjenti” i tifozëve të derbit, që sulmojnë njëri-tjetrin, sulmojnë skuadrën rivale, në një hakmarrje të vërbër, një shfryrje dufi ndaj gjithë botës, për gjendjen në të cilën ndodhen.

Sa për informacion, derbi i madh, finalja e dytë dhe përcaktuese e Kupës Libertadores, luhet sot në orën 21:00 në stadiumin “Monumental” të River Plejtit, gjithnjë nëse nuk ndodh dhunë tjetër. Finalja e parë në “La Bombonera” përfundoi 2-2.

Sfidanti.al