Kritikat për Çelsin e Sarrit, derbin si “ndeshje përkujtimore”

“Sarri-ball” po quhet me simpati në Angli, stili i lojës së Çelsit të sotëm. Pra, një stil me qarkullim topi të shpejtë dhe efektiv, sipas filozofisë së trajnerit ish-bankier. Papritur, erdhi derbi ndaj Totenhemit dhe “Sarri boll” u asfiksua, me Blutë e Londrës që morën një “dru të shëndoshë”.

Çfarë ndodhi në “Uembli”, që Çelsi, një rival për titull, u duk si ekip që thjesht kërkon mbijetesën? Ish-mbrojtësi i Mançester Junajtidit, Rio Ferdinand, sot opinionist, thotë se Totenhem e luajti ndeshjen si derbi, ndërsa blutë sikur ajo të ishte një miqësore në kujtim të dikujt, pra diçka më shumë se një miqësore.

“Spersat” kryesuan deri në 3-0 pas golave të Dele Alit, Harri Kejnit dhe koreanojugorit Son, madje kjo në vetëm 56 minuta. Rrjeta e Olivie Zhirusë, në minutën e 84-ët, ishte thjesht një përpjekje për të larë turpin sadopak.

“Sot askush nga lojtarët e mi nuk më pëlqeu”, – u shpreh Sarri, në përfundim, por besohet se më pak se gjithkush i pëlqeu vetja e tij. “Luajtëm shumë keq në çdo drejtim, – vazhdoi ai, – fizikisht, teknikisht, taktikisht, mendërisht”. Këtu përfundon seria prej 18 ndeshjesh pa humbje e trajnerit italian në Angli, që prej gushtit, ndërsa gara për titull, dalë nga dalë, po kthehet në konkurrim dysh, mes Sitit e Liverpulit.

Sfidanti.al