Ishte ndeshja që ai priste, ose të paktën kështu mendohej. Edinson Kavani nuk e la rastin t’i shpëtonte nga dora dhe u bë njeriu-fitore në sfidën e Paris SG ndaj Tuluzës. Në “Stadë dë Prensis” ishin dy yje që “rrinin e vështronin”, ndërsa sulmuesi uruguajan shënonte golin e vetëm të ndeshjes, që në minutën e 9-të, për t’i dhënë kampionëve të Francës një sukses tepër të vështirë.
Nejmar e Kilian Mbape ishin të dëmtuar, dhe kishin zënë vend në tribunë për të ndjekur ndeshjen e Ligës së Parë, ndërsa në krah të Kavanit ishin Julian Draksler dhe Angel Di Maria. Mungesa e dyshes së madhe u ndje, por sulmuesi me numrin 9 besohet se u kënaq me protagonizmin e tij.
Ai vazhdon ta thellojë rekordin e tij të golave për PSG-në, me 180 të tillë, ndërsa shpreson të bashkohet me “Klubin 400”, pra me ata lojtarë që kanë shënuar mbi 400 gola në karrierë. Kavani ka arritur deri tani në 379 për kombëtaren e Uruguajit dhe skuadrat e klubeve. Fitorja 1-0 bëri që PSG të ketë 42 pikë të plota pas 14 ndeshjeve në kampionat, plot 15 pikë përpara vendit të dytë, Lionit.
Sfidanti.al