Hesapet do të lahen nesër, ndërsa përpara sesa të “flasin” në pistë, dy ekipet po përballen në luftën psikologjike. Red Bulli akuzoi Mercedesin se ka nisur një fushatë të vërtetë shpifjeje dhe akuzash për ta paraqitur Maks Verstapenin si “të çmendur” dhe “të papërgjegjshëm” në prag të duelit të fundit me Ljuis Hamiltonin në Abu Dabi. Shefi i skuadrës austriake, Kristian Horner, nuk e mbajti gjuhën fare në sulmin e tij. “Padyshim që ka një fushatë të koordinuar të Mercedesit, – tha ai, – krejtësisht. Është pjesë e një historie për të bërë sa më shumë presion ndaj organizatorëve dhe zyrtarëve për të vepruar ndryshe nga garat e tjera. Kjo fushatë po zhvillohet në mënyrë të mbuluar për ta vendosur nën presion Maksin, për ta paraqitur ata si të çmendur, si pilot të papërgjegjshëm, për të ushtruar sa më shumë presion ndaj tij”.
Sfidanti.al