Masimiliano Alegri nuk është se nuk ka alternativa, por ato nuk janë aq bindëse, madje as për një ndeshje normale të Serisë A, jo më për një nga sfidat më të vështira në Champions ndaj Çelsit që është kampion në fuqi i Europës. Pra, si do t’ia bëjë Juventusi në duelin e madh që do të luhet në stadiumin “Alianc” të Torinos, këtë të mërkurë në orën 21:00? Alegri është e sigurt se nuk do të ketë dy sulmuesit kryesorë, Paulo Dibalën (gjithashtu kapiten) dhe Alvaro Moratën, të cilët janë të dëmtuar. Sipas mediave italiane, Alegri mund të luajë me skemën 4-2-3-1, ose 4-4-2, me Keanin në vend të Moratës.
Për Dibalën, ka disa mundësi sipas “La Gazeta delo Sportit”, pasi në vend të argjentinasit mund të luajë Kulushevski, ose edhe Federiko Kieza që “e bën sulmuesin e dytë nëse ka një sulmues të parë në krah”, siç thotë Alegri. Me Keanin kjo mund të ndodhë. Në dyshim Rabio në mesfushë për shkak dëmtimi dhe në vend të tij mund të luajë Bernardeski. Së fundmi, mund të ketë skemë 4-3-3 me treshen e sulmit Kean-Kulushevski-Kieza, dhe me Kuadradon në krah. Duket se Juventusi nuk është krejt pa shanse!
Sfidanti.al