Zinedin Zidan e solli në terezi Realin e Madridit duke e drejtuar me qetësi për 3 sezone me radhë, e duke e udhëhequr në 3 Champions të fituar. Shtoji këtyre edhe titullin e La Ligës dy sezone më parë, dhe kupton se epoka e francezit ishte më së shumti e shkëlqyer në “Santiago Bernabeu”. Tashmë, nuk është më kështu.
Presidenti Florentino Perez nuk dëshiron të kthehet në periudhën kur trajnerët vinin e iknin, siç ndodhi në vitet 2003-2009, kur “qarkulluan” plot 9 njerëz të stolit. Për këtë arsye, numri 1 madrilen duket se ka biseduar (nëpërmjet palëve të treta) me trajnerin italian, Antonio Konte, duke i besuar karakterit të tij, gjithnjë nëse shkarkon Lopetegin.
Mediat shkruajnë se ish-trajneri i Spanjës ka në dispozicion vetëm 3 ndeshje për të mbajtur punën, ato ndaj Levantes në Madrid këtë të shtunë, në 23 tetor po në Madrid ndaj Viktorias së Plzenit në Champions, por sidomos derbi “El Klasiko” me Barcelonën në 28 tetor në “Kamp Nou”, të vlefshëm për kampionatin spanjoll.
Sfidanti.al