U fol shumë për ndikimin negativ të ikjes së dyfishtë, Zinedin Zidan e Kristiano Ronaldo. Reali i Madridit, i mbetur dy herë “i ve”, e ndjeu goditjen dhe nën drejtimin e ish-trajnerit Hulen Lopetegi nuk arriti të ngrinte kokën. Edhe ardhja e Santiago Solarit nuk u pa me ndonjë optimizëm të madh, për vetë përvojën e paktë të argjentinasit, por edhe të disa humbjeve të rënda të pësuara nga Reali i tij, në Champions dhe në La Liga.
Gjithsesi, pas barazimit 1-1 në fushën e Barcelonës, në Kupën e Mbretit, ja ku erdhi edhe fitorja 3-1 në stadiumin e Atletikos, në një ndeshje tepër të ndjerë për tifozët madrilenë. Me të drejtë, gazeta “Marka” thekson se në vetëm 1 muaj, Solari ka sjellë një ndryshim të madh. Në 6 janar ndodhi humbja e rëndë me Sociedadin në “Bernabeu” (0-2), ndërsa në 9 janar erdhi suksesi në “Uanda Metropolitana”, që e ngjiti Realin në vendin e dytë, menjëherë pas Barçës.
Besohet shumë se meritë të madhe ka kthimi në formë i disa lojtarëve kryesorë, sidomos Modriç, Ramos, Varan, Kros apo Kasemiro. Të mos harrohet edhe Benzema që po shënon shumë gola, por edhe Vinisius. Pritet tani prova në Champions, që për momentin nuk duket e pakalueshme, ndërsa ëndrra është eleminimi i Barcelonës dhe kalimi në finalen e Kupës së Mbretit. Mund të thuhet se Reali e ka gjetur “Solskjerin” e tij, pra trajnerin Santiago Solari.
Sfidanti.al