Mes gjithë rezultateve të dy javëve të para të Championsit, ai më i paprituri dhe më kumbuesi ishte humbja e Realit në fushën e CSKA-së së Moskës. Kampionët e Europës u mposhtën 0-1, pas një gabimi që e bënë vetë dhe që solli golin e sulmuesit kroat, Vlashiç. Edhe pse të besuarit e trajnerit Lopetegi bënë presion të madh dhe luajtën praktikisht me një portë, asgjë nuk doli nga kjo, ndërsa CSKA-ja zbatoi më së miri taktikat e trajnerit të Rusisë, Stanisllav Çerçesov, që e bënë ekipin kombëtar rus çerekfinalist të Botërorit. Kriza e Realit vazhdon, pa Ronaldon dhe me Modriçin jo në formë.
Po në grupin G, Roma la pas humbjen në Madrid, duke triumfuar 5-0 ndaj Viktorias së Plzenjit nga Çekia. “Bombardieri” boshnjak, Edin Xheko ishte më i miri i ndeshjes me 3 gola, ndërsa Xhengiz Under e Xhastin Klaivert shënuan nga një. Roma vazhdoi momentin e mirë pas fitores së derbit ndaj Lacios, në Serinë A.
Mançester Junajtid nuk i largoi dot hallet, dhe pas vonesës së autobusit, pati “vonesë” edhe në rezultat. Në “Old Traford” u mbajt në barazim 0-0 nga Valencia, një rezultat që mund t’i kushtojë nëse humb ndeshjen e dytë në Spanjës, ndërsa në grup është edhe Juventusi.
Klasikja e futbollit, Bajern-Ajaks, përfundoi ashtu siç e deshi tradita, barazim 1-1. Nuk bëri punë fakti se gjermanët ishin shumë më të vlerësuar përpara takimit, pasi skuadra e re holandeze u mbajt mirë në “Alianc Arena” të Mynihut. A thua po kthehet Ajaksi i madh? Pak shpejt për të folur, por goli i Mazrauit dhe loja, dha shpresë.
Grupi E: AEK-Benfika 2-3, Bajern-Ajaks 1-1. Renditja: Ajaksi e Bajerni nga 4 pikë, Benfika 3, AEK 0
Grupi F: Hofenhajm-Man. Siti 1-2, Lion-Shahtar 2-2. Renditja: Lioni 4 pikë, Man. Siti 3, Shahtari 2, Hofenhajmi 1.
Grupi G: CSKA-Real 1-0, Roma-Plzenj 5-0. Renditja: CSKA 4 pikë, Real e Roma nga 3, Plzenj 1
Grupi: H: Juventus-Jang Bojs 3-0, Man. Junajtid-Valencia 0-0. Renditja: Juventus 6 pikë, Man. Junajtid 4, Valencia 1, Jang Bojsi 0.
Sfidanti.al