Real, a mund të jetë BBC-ja alternativë për Mbapenë e Halandin?!

Së pari duhet të themi nëse mund të ndodhë? Reali ka shansin që të krijojë sërish treshen më të madhe të epokës së fundit, dhe një nga më të mëdhatë në histori. Kristiano Ronaldo, Garet Bejl dhe Karim Benzema kanë gjasë që të jenë sërish së bashku në Madrid, një repart që nën siglën BBC bëri histori në “Santiago Bernabeu”.

“Kthim në të ardhmen, – titullon me bujë e përditshmja “AS”, në kërkim të lajmeve nga klubet ndërsa bashin e vendit tani e zënë ekipet kombëtare. “Belj lajmëron kthimin tek Reali, Juventusi është gati të dëgjojë ofertat për Kristianon”. Për momentin, vetëm Benzema po luan në skuadrën madrilene, duke qenë më i miri për trajnerin Zinedin Zidan, me 23 gola këtë sezon, 17 nga të cilët në La Liga.

Kristiano Ronaldo mbetet tek Juventusi, por spekullimet kanë qenë të mëdha për të ardhmen e tij. Superylli portugez është i pakënaqur nga italianët ku nuk po mundet ta fitojë Championsin prej 3 vjetësh, ndërsa klubi thuhet se është gati të pranojë një ofertë nëse ajo arrin në 25 milionë euro. Humbja e fundit e Juventusit ndaj Beneventos do të thotë se edhe shanset për Serinë A janë tepër të pakta.

Bejl, ndërkaq, nuk është i lumtur tek Totenhemi edhe pse kohët e fundit nisi të luante e të shënonte gola. Skuadra londineze e trajnerit Zhoze Murinjo është larg trofeve, në vendin e 6-të në Premier Ligë, e eleminuar nga Liga e Europës, e duke rrezikuar kualifikimin për në Champions sezonin e ardhshëm. Vetë Bejli, që nga grumbullimi me kombëtaren e Uellsit, deklaroi hapur se plani i tij është që të kthehet në Madrid sezonin tjetër.

Të tre lojtarët kanë qenë tepër të suksesshëm kur kanë luajtur bashkë për 5 sezone, nga 2013 deri në 2018. Ata kanë shënuar 450 gola gjithsej, nga të cilët 257 të Ronaldos, 105 të Benzemasë e 88 të Bejlit. Po ashtu, kanë fituar 12 trofe të mëdhenj, nga të cilët 4 Champions, 1 La Liga, 2 Superkupa të Europës e 3 Kupa të Botës për klubet. Që të tre sulmuesit kanë qenë spektakolarë dhe janë kuptuar me sy mbyllur, veçse sot flasim për lojtarë në moshë të madhe. Kristiano është 36 vjeç, Benzema 33 dhe Bejl 31, pra dyshimi është nëse mund të luajnë edhe sot si dikur. Nuk është e sigurt nëse tek Reali mendojnë se treshja BBC mund të vlerësohet si alternativë për sulmuesit e rinj të momentit, Kilian Mbape apo Erling Haland.

Sfidanti.al