Janë dy nga skuadrat më të mira të sezonit, me vazhdimësi për t’u admiruar. Filafeldia Sevëntisiksers (76ers) dhe Bruklin Nets janë ekipet që kryesojnë Konferencën Lindore, bashkë me Bruklinin, dhe arritën fitoret e radhës pavarësisht mungesave. Filadelfia, ekipi nga kryeqyteti i parë i Shteteve të Bashkuara në kohën e luftës për pavarësi nga britanikët, triumfoi në fushën e Golden Stejtit me shifrat 108-98. Edhe pse mungoi ylli kryesor Zhoel Embijd, lojtari më i mirë i NBA-së këtë sezon, sërish lojtarët e tjerë bënë dallimin. Tobias Harris shënoi 25 pikë e kapi 11 topa në tabela, Ben Sajmëns pati 22 pikë e 8 tabela, ndërsa Toni Bredli shtoi 18 pikë e 11 tabela. Filadelfia pati epërsi të thellë, por pastaj për pak e humbi ndeshjen duke e nënvleftësuar kundërshtarin, për të cilin nuk luajtën lojtarët kryesorë Stefën Kërri e Klej Tompson.
Bruklin pati një detyrë edhe më të vështirë, pasi luajti në Arenën e Portlendit, ndërsa i mungonin dy nga yjet kryesorë, Kevin Duranti dhe Kajri Irvingu. Për fat, Xhejms Hardeni ishte shumë i frymëzuar duke shënuar 25 pikë në 40 minuta lojë, duke kapur 7 topa në tabela, e sidomos duke shërbyer 17 asistë nga 25 që pati gjithë skuadra. Bruklini fitoi me vështirësi 116-112, ndërsa Portlendi u mbështet tek Damien Lilardi, Karmelo Entëni, Enes Kanter apo SiXhej Mekkallëm. Filadelfia kryeson Konferencën Lindore me 31 fitore e 13 humbje, duke qenë skuadra e dytë më e mirë e NBA-së pas Juta Xhazit, ndërsa Bruklini është në vendin e dytë thuajse në të njëjtin nivel si Miluoki.
Sfidanti.al