Ramos, në Norvegji nuk ishte mbrëmja e duhur për rekordin!

Më në fund e kaloi të madhin Iker Kasijas dhe tani është ulur këmbëkryq në majë të një renditjeje të rëndësishme të kombëtares spanjolle. Sergio Ramos luajti ndeshjen numër 168 me seleksionin, atë në Norvegji për Europianin, ndërsa ish-portieri i Realit arriti deri në 167. Po ashtu, legjenda madrilene u bë lojtari i fushës (përjashto portierët) me më shumë ndeshje në ekipin përfaqësues, duke kaluar letonezin Vitalijs Astafjevs.

Kanë kaluar shumë kohë që nga ndeshja e tij e parë, në 26 mars 2005 ndaj Kinës, kur Ramosi u bë më i riu lojtar i “Furive të Kuqe” në 55 vite, duke qenë në moshën 18 vjeç e 361 ditë. Kjo karrierë e madhe, u bë e shkëlqyer sepse koincidoi me Epokën e Artë të Spanjës, duke u fituar Europiani 2008, Kupa e Botës 2010 dhe Europiani 2012. Kapiteni i Spanjës dhe i Realit do të luajë edhe shumë ndeshje të tjera dhe rekordi i tij do të rritet më tej. Mesa duket, do të jetë shumë e vështirë që dikush ta thyejë këtë rekord. Gjithsesi, Ramosi nuk u kënaq shumë nga ndeshja në Oslo, pasi përfundimi ishte 1-1. Iberikët ishin pranë fitores pas golit të Saulit, por në minutën e 3-të shtesë, Xhosh King barazoi me penallti, dhe skuadra e trajnerit Robert Moreno duhet të presë për t’u kualifikuar.

Sfidanti.al