Quajeni plej ofi i përmbysjeve, Denveri e bëri me San Antonion

“Ne u falëm atyre 38 pikë”, – tha i tërbuar trajneri Greg Popoviç pas ndeshjes. Faqja zyrtare e NBA-së e korrektoi duke thënë se u falën 39 pikë nga San Antonio, ndërsa Denveri realizoi një tjetër përmbysje në plej ofin e NBA-së. Nuk ishte aq madhështor sa ai i Klipersave në fushën e Golden Stejtit (parakaloi 31 pikë diferencë), por ishte gjithsesi fantastik, duke “fshirë” 19 pikë epërsi të Spërsave.

Nikola Jokiç ishte i shkëlqyer dhe gati realizoi një tjetër tripëll dabëll, por njeriu i mbrëmjes gjithsesi ishte Xhamal Marrej. Basketbollisti ofensiv i Denverit e nisi shumë keq, duke humbur gjuajtje pas gjuajtjeje, por trajneri Maloun nuk e uli në stol, përkundrazi e nxiti që të kishte më shumë besim tek vetja. Marrej shënoi gjithsej 24 pikë, dhe 21 prej tyre vetëm në periodën e katërt.

“Nuk më duket se realizova ndonjë gjuajtje nga loja gjatë tri periodave të tjera, – tha Marrej pas ndeshjes, – ishte thatësirë e vërtetë, por shokët më thanë të vazhdoja të gjuaja. Ata më besuan plotësisht”. Denveri ishte në humbje 59-78 deri pranë fundit të pjesës së tretë, por më pas patën një reagim me rezultatin e pjesshëm 55-27, që i dha ndeshjen me shifrat 114-105.

“Ne nuk dorëzohemi kurrë, – tha Jokiç, – e humbëm ndeshjen e parë, ishin -19 pikë në të dytën, por le t’i lemë justifikimet. Ne nuk u dorëzuam dhe fituam këtë herë”. Jokiç shënoi 21 pikë, kapi 13 topa në tabela, shërbeu 8 asistë dhe vodhi dy topa. Ndeshja e tretë luhet në San Antonio, por Denveri ka besim.

Sfidanti.al