PSG nuk gjen qetësi, duhet të sistemojë 150 mln Euro

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë i dha të drejtë Paris Sën Zhermenit në betejën me UEFA, megjithatë klubi parizien nuk mund të gjejë qetësi. Sipas asaj që publikohet te ‘L’Equipe’, kampionët e Francës janë të detyruar që të sistemojnë 150 milionë Euro në llogaritë e bilancit të tyre për të evituar hetimet e reja nga ana e UEFA.
Që do të thotë se nxjerrja në merkato e disa lojtarëve mund të bëhet e paevitueshme, nëse nuk rriten ndjeshëm të ardhurat nga kointratat e sponsorizimit, por edhe këto do të jenë nën lupën e UEFA.

Paris Sën Zhermeni duke nisur nga sezoni i ardhshëm do të ketë një sponsor të ri, grupin e hoteleve Accor nga kontrata me të cilin do të përfitojë 50 milionë Euro në vit, shifër kjo që është 2 herë më e lartë nga ajo që përfitonte nga kontrata me Fly Emirates. Por kjo kontratë paraqet një rrezik potencial për UEFA duke qenë se Qatar zotëron 10.44% të aksioneve të Accor nëpërmjet Qatar Investments Authority

Sidoqë të jetë, përfshirja e Accor në listën e sponsorëve, do t’i lejojë Paris Sën Zhermenit të rrisë të ardhurat në këtë aspekt duke qenë se në sezonin 2017/18 ato ranë me 13% pavarësisht efektit mediatik të blerjes së Nejmar. Sezonin e kaluar, të ardhurat nga sponzorizimi të Paris Sën Zhermenit ishin 94.1 milionë Euro, ndërsa në total të ardhurat e kampionëve të Francës u rritën në 540 milionë Euro.

sfidanti.al