Paska qenë një e diel për rekorde kjo e sotmja. Pasi Mançester Junajtidi barazoi rekordin e golave të pësuar në shtëpi në një ndeshje të Premier Ligës, Liverpuli shkoi një hap më tej, theu rekordin e golave të pësuar në një ndeshje në Premier. Dërrmimi 2-7 në fushën e Aston Vilës ishte një rrufe jo në qiell të pastër, por në atë lloj qielli ku nuk ishin parë vetëtima prej 30 vjetësh. i tillë dorëzimi i “superfuqisë” së trajnerit Jurgen Klop, kampione e Anglisë në fuqi dhe kampione e Europës një sezon më parë.
Kur je dëshmitar i ndeshjeve të tilla kupton edhe më shumë sesa shumë rol luan morali në futboll, ashtu si në çdo aspekt të jetës. Njëlloj si dikur një grusht njerëzisht në një betejë mundnin një ushtri të madh. Kur kujton se 1-6 është mundur Bajerni i Bekenbauerit, Zep Majerit dhe Gerd Mylerit nga Kikersi i Ofenbahut në fillim të viteve 70-të, kur kujton se Barcelona e Mesit dhe Suarezit u shkel me këmbë nga Bajerni në çerekfinalen e Championsit pak javë më parë, atëherë edhe katastrofa e Liverpulit të duket reale. Natyrisht, sezoni është i gjatë dhe të kuqtë mbeten favoritë për titullin, por qenka viti i mrekullive, si ai i Leisterit në fushën e Mançester Sitit që fitoi 5-1.
Liverpuli pati disa mungesa si Tiago Alkantara, Sadio Mane apo Alison, por gjithsesi kjo nuk ishte arsye për disfatën. Mohamed Salah shënoi të dy golat për humbësit, ndërsa për Aston Vilën shënoi 3 herë Olli Uatkins, dy herë kapiteni Xhek Grelish, dhe nga një gol Xhon Mekgin dhe Ros Barkli i marrë nga Çelsi. Papritur, “vilansët” treguan karakterin e një ish-kampioneje të Anglisë në 1981 dhe ish-kampioneje të Europës në 1982.
Sfidanti.al