Sa i fortë është ky Real? “Marka” nxjerr Kurtuanë më të mirin në fushë!

Çfarë mund të thuash kur numri 1 i ndeshjes del portieri? E pra nuk mund t’i vësh notën “10” fituesit, qoftë edhe kur rezultati është 2-0 dhe jashtë fushe. Reali i Zinedin Zidanit sërish triumfoi, këtë herë në fushën e Levantes, por sërish nuk bindi madje as dashamirësit e tij. Gazeta “Marka” titulloi se fitorja u arrit falë duartve të Tibo Kurtuasë që bëri disa pritje shpëtimtare. Jo se “merengesit” nuk krijuan, por e përditshmja madrilene gjykoi se po ashtu mund të ishin ndëshkuar.

Përveç Kurtuasë, “Marka” vlerësoi lart kroatin Luka Modriç, i cili zhvilloi një ndeshje shumë të mirë. “Me të vërtetë mendoni se Modriçi nuk meriton rinovim kontrate me një vit tjetër?”, shkruan gazeta në formë pyetjeje për Zidanin e presidentin Perez. Reali fitoi me golat e shënuar nga Vinisius Zhunior në pjesën e parë dhe Karim Benzema në minutën e 5-të shtesë, ndërsa Vinisius shpërdoroi edhe disa raste. Këtë herë nuk pati vend për sulmuesin serb, Luka Joviç, edhe pse u bënë 4 zëvendësime dhe u hodhën në fushë Lukas Vaskez, Rodrigo, Isko e Odegard. Reali ka 10 pikë pas 4 ndeshjeve, ndërsa ka shënuar vetëm 6 gola.

Sfidanti.al