Levandovski ka 103 gola në “Alianc Arena” në vetëm 98 ndeshje!

Ishin së pari gola për fitoren e Bajernit, një nga më të vështirat e epokës së Hansi Flikut. Edhe trajneri i shquar, por i ri në detyrë, po kupton se do të duhen ndonjëherë mrekulli të Robert Levandovskit që skuadra e tij të kalojë momente të tilla kur duket se gjithçka shkon keq. Bavarezët ia dolën “me shpirt ndër dhëmbë” ndaj Hertës në Mynih, 4-3, dhe sulmuesi polak ishte autori i të 4 golave. Së pari, duhet thënë se Bajerni nuk është në formën e dikurshme, gjë që u pa në fitoret e vështira në Superkupën e Europës (3-2 me Seviljen) dhe në Superkupën e Gjermanisë (3-2 ndaj Dortmundit), por edhe në humbjen 1-4 pësuar në fushën e Hofenhajmit në kampionat.

Fakti që janë pësuar 7 gola në 3 ndeshje flet shumë, edhe pse janë shënuar 13, nga të cilët 5 i ka Levandovski. Polaku ka tani 103 gola në “Alianc Arena” me fanelën bavareze, dhe për këtë i janë dashur vetëm 98 ndeshje. Një ecuri e shkëlqyer e 32-vjeçarit që vazhdon të jetë në formë të shkëlqyer me 5 gola në 5 ndeshje këtë sezon, ndërsa vjet pati 55 rrjeta në 47 ndeshje.

Levandovski shënoi në 40’, 51’, 85’ e 90’+3 me penallti. Kordoba, Kunja e Ngankam ishin autorët për Hertën. Bajerni është në vend të katërt me 6 pikë në 3 ndeshje, po aq sa Dortmundi, por me gola më mirë: 13-7 ndaj 7-2. Kryesojnë Lajpcigu, Augsburgu e Frankfurti me nga 7 pikë.

Sfidanti.al