Është ende verë, dhe ndjenja sikur je pushim nuk ka kaluar. Gjithsesi, futbollistët e Mançester Sitit kampion e të Liverpulit, fitues të Kupës, duhet ta largojnë sa më shpejt këtë nga mendja sepse sot nis sezoni i ri në Angli. Në stadiumin “Uembli”, në prani të rreth 90 000 spektatorëve, dy ekipet do të nisin në orën 18:00 finalen e Superkupës së vendit, edhe pse tradicionalisht në ishull kjo është cilësuar më shumë një përgatitore sesa një trofe i vërtetë. Nuk e mendojnë kështu trajnerët Pep Guardiola e Jurgen Klop, aq më tepër për rivalitetin e madh mes dy ekipeve gjithë këta vjet. Siti është përgatitur për ndeshjen, i ndërgjegjshëm se ekipi ka disa ndryshime. Janë larguar sulmuesit Rahim Stërling e Gabriel Zhezus, ndërsa është në dyshim e ardhmja e mesfushorit Bernardo Silva. Gjithsesi, pritet ndikim i madh nga blerjet e reja si Hulian Alvarez, Kalvin Filips si dhe njëri nga sulmuesit më të mëdhenj të botës, Erling Halandi, që shënoi në miqësoren ndaj Bajernit.
“Erlingu është gati për këtë finale, – tha Pepi, – ai dhe Alvarezi do të krijojnë një dyshe shumë të mirë. Halandi është përshtatur me shokët, atmosfera është shumë e mirë, dhe kjo gjë ka shumë rëndësi. Natyrisht, do ta ndjejmë mungesën e lojtarëve të tillë si Stërling apo Gabriel Zhezus që janë larguar. Ne duam ta fitojmë Superkupën por po kështu edhe Liverpuli, ndaj pres një ndeshje shumë të fortë”.
Liverpuli gjithashtu ka pasur ndryshime, por më pak. Sadio Mane ka shkuar tek Bajerni dhe ka ardhur sulmuesi uruguajan Daruin Nunjez nga Benfika. Faza përgatitore pati rezultate kontradiktore, si humbja e thellë me Mançester Junajtidin, fitorja e thellë me Lajpcigun dhe humbja e fundit 0-1 me Salcburgun. “Ne duhet të gjejmë sërish unitetin që patëm sezonin e kaluar, – theksoi tekniku gjerman, – duhet të jemi më të fortë, të kemi uri dhe të luajmë me më shumë ashpërsi dhe vendosmëri. Këtë gjë ua kam thënë lojtarëve. Ende nuk jemi në formën e duhur, por kështu ndodh edhe me Sitin. Superkupa nuk është një ndeshje miqësore, por një test i vërtetë, aq më tepër që luajmë ndaj kampionëve”. Sezonin e kaluar, dy ekipet u ndeshën disa herë dhe Liverpuli fitoi 3-2 në gjysmëfinalen e Kupës së Anglisë, ndërsa dy sfidat e Premier Ligës përfunduan 2-2.
Sfidanti.al