“Unë nuk dua që të fitoj aq sa merr gjithë ekipi së bashku, unë dua të fitoj aq sa shokët e mi të rinj”. Këto ishin fjalët e Luis Suarezit që braktisi më në fund Europën, pasi shkëlqeu me Ajaksin, Liverpulin, Barcelonën dhe Atletikon. Sulmuesi uruguajan do ta vazhdojë karrierën në vendin e tij, në ekipin e tij të zemrës, Nasional të Montevideos, dhe në moshën 35-vjeçare hoqi dorë nga oferta shumë interesante në Europë dhe në SHBA. Nga 6 milionë euro rrogë që merrte tek Atletiko (tek Barça arrinte në 15 milionë), ai ka pranuar të ketë rreth 30 000 euro në muaj, që do të thotë rreth 350 000 euro në vit. Kaq marrin lojtarët e tjerë të rëndësishëm të Nasionalit. Skuadra uruguajane ka qenë dikur e famshme në Amerikën e Jugut dhe në Botë, me 3 Kupa Libertadores dhe 3 Kupa Interkontinentale, që të gjitha deri në 1988. Gjithsesi, “trengjyrëshit” mbeten të rëndësishëm në Uruguaj ku janë 48 herë kampionë.
Sfidanti.al