Prag Rusi-Zvicër, a do ta “pushtojnë” Lukaku me shokë, Shën Peterburgun e carëve?!

Kanë kaluar më shumë se 40 vjet kur iu afruan aq shumë. Belgjika thuajse doli kampione e Europës në vitin e largët 1980, por ky gol i gjigandit Horst Hrubesh ia dha Gjermanisë atë titull. Të mbiquajturit “djajtë e kuq” janë sot sërish në nivelet e atëhershme, dhe yjet e vjetër si Pfaf, Shifo, Këlemans apo Vandernberg përfaqësohen denjësisht nga Lukaku, Kurtua, Hazar, De Brujn apo Mertens. Belgjika do të nisë sot finalet e Europianit me sfidën ndaj Rusisë në Shën Peterburg, një rival që e mundi dy herë në grupin eleminator.

Padyshim, skuadra e trajnerit Roberto Martinez cilësohet favorite, dhe një nga pretendentet për titull. Për fat të keq, Kevin De Brujn mungon për shkak të dëmtimit pësuar në finalen e Championsit, por të paktën Eden Hazar i ka lënë pas lëndimet që kishte tek Reali. Ylli kryesor, Romelu Lukaku është në formën e jetës, por mbrojtja është e vjetër dhe mund të jetë “thembra e Akilit”.

“Jam i bindur se skuadra jonë ka gjithçka për t’ia dalë mbanë, – thotë trajneri Martinez, – ne kemi lojtarët e duhur dhe përvojën e duhur. Pritet shumë nga ne, por besoj se do të dimë ta përballojmë presionin. Ne jemi ekipi numër 1 në renditjen e FIFA-s dhe kjo do të thotë diçka”.

Rusia zbarkoi në kryeqytetin e saj të dytë në Shën Peterburg, gjithashtu duke pasur besim. Pak ekipe në botë transformohen aq shumë sa ai rus kur luajnë në fushën e tyre, siç u pa qartë në Kupën e Botës 2018, kur u eleminua Spanja favorite dhe u arrit në çerekfinale. Trajneri Çerçesov ka disa mungesa si Kudrjashov, Samoshnikov e Mostovoi, ndërsa Zobnin e Barinov kanë lënë pas dëmtimet. Shpresa më e madhe është tek dyshja e sulmit Xhuba-Kerzhakov, ndonëse rusët i humbën dy ndeshjet eleminatore me Belgjikën, madje 1-4 në shtëpi.

“Ne nuk na mungojnë emocionet, ambiciet dhe freskia fizike, – thotë Çerçesovi, – Belgjika është favorite, një skuadër shumë e fortë, por kjo nuk ka rëndësi për ne. Do të bëjmë lojën tonë. Kjo është një ndeshje e re që nis 0-0”.

Rusia nuk ka pasur suksese të mëdha në Europian, dhe vetëm në 2008 arriti në gjysmëfinale, mundur nga Spanja. Triumfet e vetme në kohën e Bashkimit Sovjetik, me titullin e fituar në 1960, dhe me 3 finale të humbura në 1964, 1972 e 1988.

Sfidanti.al