Shqipëria fiton tjetër medalje ari në gjimnastikë me rusin Matvej Petrov!

Në dhjetor të vitit të kaluar i dha Shqipërisë një triumf të madh. Matvej Petrov, gjimnasti i shquar i shkollës ruse, arriti edhe një sukses tjetër nën flamurin shqiptar, pasi u shpall kampion i Europës në Turqi. Sportisti 30-vjeçar shkëlqeu edhe në Kupën e Botës në Osijek të Kroacisë, duke zënë vendin e parë e duke marrë një tjetër medalje ari. Petrovi, si pjesë e kombëtares kuqezi, sfidoi konkurruesit në turneun e nivelit të lartë në disiplinën e kalit me doreza, duke fituar fillimisht vendin e parë në eleminatore, dhe pastaj duke dominuar finalen. Ai grumbulloi 15.166 pikë duke lënë pas gjimnastin nga Kazakistani, Nariman Kurbanov që mblodhi 15.033 pikë.

Një rezultat shumë i mirë për Petrovin dhe trajnerin e tij, Alon Hasa që ngritën sërish flamurin shqiptar në arenën ndërkombëtare. Sportisti ruso-shqiptar do të jetë edhe përfaqësues i vendit tonë në Lojrat Olimpike në Tokio këtë verë, pas ftesës së marrë nga Federata Ndërkombëtare e Gjimnastikës. Rreth 2 javë përpara Olimpiadës, Petrovi do të konkurrojë në një tjetër turne të Kupës së Botës, këtë herë në Katar, ku do të synojë sërish medalje.

Sfidanti.al