Prag Inter-Barcelona, a do ta “shuajnë” këtë herë katalanasit “vullkanin milanez”?!

Shpresa është që të mos përfundojë si atëherë. Barcelona nuk ka sesi e harron disfatën 1-3 në “San Siro” ndaj Interit në 2010, që solli eliminimin e pabesueshëm nga Championsi të superskuadrës së Mesit, por që në atë kohë u detyrua të udhëtonte me autobus nga Katalonja deri në Milano. Shpërthimi i vullkanit në Islandë anuloi fluturimet ajrore në Europë, dhe detyroi ekipin e Guardiolës që të kalonte Alpet si dikur Hanibali i kartagjenasve. Sot, natyrisht është ndryshe, dhe të besuarit e trajnerit Ksavi Hernandez udhëtuan si s’ka më mirë drejt kryeqendrës së Lombardisë. Luhet Inter-Barcelona, ndeshje grupi vërtet, por tepër e rëndësishme për të dyja. Kush fiton afrohet me kualifikimin, kush humb rrezikon seriozisht të mbetet jashtë. Trajneri Ksavi ka mungesa të shumta, si Arauho, Depai, Bejerin, De Jong apo Kunde, por të paktën Pedri është i shlodhur dhe gati.

“Finalisima, – shkruan në italisht e përditshmja katalanase, “Sport”, – Barça shpreson të japë goditjen e duhur në fushën e Interit!” “Luani si Interi, – është mesazhi i “La Gazeta delo Sportit”, – Champions, arrin Barcelona, Inzagi, sot ose kurrë! Zikaltërit do të bëjnë çmos për të qenë vetvetja, por momenti është i vështirë pas humbjes me Romën, veçse tifozët shqiptarë mund ta kenë një kënësi sepse Kristjan Asllani pritet të jetë sërish titullar. Gjithsesi, Lautaro Martinez është në dyshim, dhe Brozoviç e Lukaku nuk do të jenë. Barcelona dhe Interi kanë nga tri pikë pas dy ndeshjeve, ndërsa Bajerni kryeson grupin me 6 pikë të plota.

Sfidanti.al