Boksi shqiptar pret të artën europiane nga “juniori” Amar Koçi!

Ambiciet kanë qenë gjithmonë, por duket se po vjen edhe besimi. Sporti ynë ka njohur disa medalje ndërkombëtare këta vjet, me shqiptarë dhe të natyralizuar, dhe një të tillë e ka fituar sërish boksi. Pas suksesit të madh të Alban Beqirit në Kampionatin Botëror për të rritur vjet në Beograd, vjen ai i adoleshentit Amar Koçi, që arriti deri në finalen e Kampionatit Europian për të rinj në Itali. Boksieri 16-vjeçar, që i përket klubit të Studentit në kryeqytet, bëri një paraqitje të shkëlqyer në gjysmëfinale ndaj sportistit vendas, Xhuzepe Çirilo. Të pesë gjyqtarët e dhanë fitoren me pikë për shqiptarin dhe rezultati i përgjithshëm ishte 147-138 për Koçin. Kampioni kuqezi e dominoi sfidën ndaj italianit në të tre raundet duke merituar finalen. Pasi ka siguruar medaljen e argjendit, 16-vjeçari do të synojë të artën, pra edhe titullin europian në finalen e sotme ndaj gjeorgjanit Giorgi Natroshvili. Sesioni i pasdites në ringun e Romës nis në orën 18:00, por shqiptari do të jetë në ndeshjen e parafundit sepse i përket peshës deri 75. Ashtu si në gjysmëfinale, Koçi do të jetë me uniformë blu dhe kundërshtari me të kuqe, ndërsa është i vetmi finalist i kombëtares që ka shkuar në Europian me tre boksierë. Trajnerë të ekipit përfaqësues janë Artur Koçi, Kavdo Çekini dhe Leli Gega.

Sfidanti.al