Prag Holandë-Senegal, a do të jetë ky Botërori i fatit për “tulipanët?!

Kanë kaluar 12 vjet, por plaga nuk është mbyllur. Holanda do ta kujtojë padyshim humbjen me Spanjën në finalen e Kupës së Botës në 2010, ndërsa do të debutojë sot në Botërorin  e radhës. “Tulipanët” janë përgatitur për sfidën e orës 17:00 ndaj Senegalit në stadiumin “Al Tumama” për grupin A, duke e pasur mirë parasysh faktin se janë tri herë nënkampionë të botës. Një pafatësi që nuk i ka ndodhur askujt tjetër dhe që të besuarit e trajnerit Luis Van Gal duan që ta ndryshojnë në Katar. Holandës i mungon sulmuesi kryesor, Memfis Depai i Barcelonës, që ka dëmtim. Edhe lojtari i krahut, Damfris është në dyshim pas problemeve që pati me Interin në Serinë A, ndërsa De Ron është thuajse e sigurt që nuk luan. Ekipi i Van Galit vjen pas paraqitjes së mirë në ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve, me fitoret ndaj Belgjikës e Polonisë, po ashtu ndaj Uellsit.

Edhe Senegali është i fortë dhe ka pretendime, ndonëse do ta ketë një mungesë të madhe. Ylli kryesor, Sadio Mane, i dëmtuar në Bundesligë me Bajernin, nuk arriti të riaftësohej, dhe kjo pritet t’i prishë shumë punë kampionëve të Afrikës. Edhe Diallo i Lajpcigut mungon për lëndim. Kapiteni i Holandës, Virgil Van Dajk, nuk e fsheh faktin që mungesa e Manesë është një plus i madh për ekipin e tij. Gjithsesi, ai theksoi se ndihet keq për ish-shokun e tij të ekipit tek Liverpuli. Senegali është kampion i Afrikës në fuqi, pasi mundi vjet në finale Egjiptin e Mohamed Salahut, ndonëse holandezët cilësohen sot si favoritë. Dita e sotme e Botërorit mbyllet në orën 20:00 më sfidën mes SHBA-së dhe Uellsit për grupin B.

Sfidanti.al