Nëse vendasit fitojnë sot, do të përsëriten skenat e 1990-ës. Një sukses i Mançester Junajtidit ndaj Mançester Sitit do të thotë thuajse me 100 për qind, titull për Liverpulin pas plot 29 vjetësh. Gazetat e thonë hapur: Ky është derbi që tifozët e Junajtidit duan që ta humbasin! Mundni Mançester Sitin dhe ia dorëzoni titullin Liverpulit, armikut me të cilin u përlesh aq shumë Sër Aleks Fergusoni!
Gjithsesi, pas turpërimit 0-4 në fushën e Evertonit, tifozët presin një përgjigje nga futbollistët e tyre. Jo vetëm kaq, por në “Old Traford”, sonte në orën 21:00, vendoset jo pak fati i kualifikimit për në Champions sezonin e ardhshëm, diçka që nëse nuk arrihet, do të ishte një katastrofë sportive dhe financiare.
Për të motivuar lojtarët e tij, trajneri Ole Gunar Solskjer vendosi ta zhvillonte seancën e fundit stërvitore në fushën e vjetër të quajtur Klif, aty ku ai dhe kampionët e tjerë të dikurshëm punonin nën drejtimin e Fergusonit. Për fat, norvegjezi nuk ka shqetësime shumë të mëdha me dëmtimet, ndonëse Valensia, Bejli dhe Herrera pritet të mungojnë, ndërsa Xhons është në dyshim të madh. Ljuk Shou kthehet pas pezullimit.
“Nëse duhet një reagim, nuk ka ndeshje më të mirë sesa derbi, – u shpreh trajneri Solskjer, – duhet lënë pas sa më shpejt humbja e turpshme me Evertonin, dhe duhet të kualifikohemi patjetër për në Champions. Ne nuk luajmë as për Sitin dhe as për Liverpulin, por për veten tonë. Lojtarët e mi duhet të kenë kujdes, sepse futbollistët e Sitit të godasin në kavilje apo në këmbë, për të mos na lejuar të shënojmë”.
Këto fjalë të Solskjerit patën një reagim të ashpër nga trajneri i Sitit, Pep Guardiola. “Nuk më pëlqejnë këto komente, – ishte përgjigja e katalanasit, – skuadra ime nuk është ndërtuar për këtë qëllim, dhe ne nuk i bëjmë këto gjëra. Mendoj se ai po përpiqet të motivojë lojtarët e tij para ndeshjes dhe të bëjë presion ndaj gjyqtarëve. Po ashtu mendoj se “Old Trafordi” e ka humbur elementin e frikës që u jepte kundërshtarëve. E vërteta është se Siti është rritur shumë këta vjet dhe nuk ka frikë të luajë atje”.
Minusi më i madh, por edhe i vetmi, për Guardiolën është mungesa e Kevin De Brujnit, që mund të ketë mbyllur sezonin. Derbi është lajmi më i madh për faqet sportive të gazetave në Angli.
“Deili Ekspres” jep fjalët e Guardiolës: Ju nuk na tmerroni më, si dikur! Pep: Jemi shumë të mëdhenj që të shqetësohemi për Junajtidin!
“Star Sport”: Mançesteri në luftë! Po bëhet e shëmtuar! Pepi tërbohet nga fjalët e Solskjerit për hilet e lojtarëve të Sitit!
“Tajmsi” i Londrës: Nëse Junajtid mund fqinjin, lejon Liverpulin t’i hipë përsëri në qafë! Zemërim i Sitit për akuzat e Solskjerit!
Mançester Junajtidit nuk jepet aspak favorit, përkundrazi, por trajneri Solskjer mund t’i frymëzojë lojtarët e tij me fitoren e vjetshme, madje në fushën e Sitit dhe me përmbysje, 3-2.
Sfidanti.al