Polonia dhe Hungaria “tregojnë dhëmbët” me Levandovskin e Salain!

Shqipëria e ka të qartë sesa të vështirë e ka në grupin e saj eleminator të Botërorit, dhe pas humbjes me Anglinë mësoi fitoren e rivalëve të tjerë, Polonisë e Hungarisë. Ishin të dyja njësoj, nga 3-0, përkatësisht përballë Andorrës dhe San Marinos, duke treguar se kombëtarja jonë do ta ketë tepër të vështirë të konkurrojë për 3 vendet e para.

“Violinë e parë” për polakët ishte sërish Robert Levandovski, autor i dy golave. Sulmuesi i Bajernit ka arritur në kuotën e 66 rrjetave në kombëtare duke qenë rekordmen, ndërsa ka luajtur plot 118 herë. Ai ka në total 544 gola me klubet dhe Poloninë duke qenë një nga më të mirët shënues të të gjitha kohëve.  Jo vetëm kaq, por ai ka arritur legjendën Kazimiers Dejna për numrin e ndeshjeve me Poloninë, që të dy nga 118, ndërsa jashtë stadiumit të Legias së Varshavës është pikërisht statuja e Dejnës.

Këtë të diel, pas tij nuk mbeti as ylli i Hungarisë, Adam Salai. Sulmuesi i Mancit të Bundesligës realizoi po dy herë me golin e parë që erdhi me penallti. Në grupin tonë eleminator (I), Anglia kryeson me 6 pikë e me golaverazhin 7-0, Hungaria e Polonia kanë nga 4 pikë me golaverazhin 6-3, ndërsa Shqipëria ka 3 pikë me golaverazhin 1-2.

Sfidanti.al