Kosova nuk ia del ndaj Zllatan Ibrahimoviçit dhe Suedisë

Trajneri Jane Anderson ishte shumë i lumtur dhe as nuk e vrau mendjen nëse ylli i tij kryesor shënoi apo jo. Rëndësi pati fitorja 3-0 në Prishtinë ndaj Kosovës që tregoi dallimin mes një ekipi të mirë dhe me talent, dhe një skuadre të vërtetë, me përvojë të madhe dhe shkollën e saj tipike të futbollit. Për më tepër, duke pasur në ekip edhe Zllatan Ibrahimoviçin. Ylli i Milanit, në moshën 39-vjeçare, luajti ndeshjen e dytë radhazi që pas kthimit në ekip dhe shërbeu dy asiste për golat. Rrjetat në stadiumin “Fadil Vokrri” u realizuan nga Ludvig Augustinson në 12’, Aleksandër Isak në 35’ dhe Sebastian Larson me penallti në 70’. Ibra nuk ishte në fushë kur u gjuajt penalltia, sepse ishte zëvendësuar prej 3 minutash.

“As unë dhe as Zllatani nuk mendojmë aspak nëse ai shënon ose jo, – tha Andersoni, – rëndësi ka që Ibra po e ndihmon shumë skuadrën. Ne po luajmë shumë mirë në sulm. Kundërshtarët nuk ndjejnë kënaqësi kur ne kemi në ekip Ibrën dhe sulmuesit e tjerë, dhe ata luajnë në mënyrën e duhur”. Vetë Ibrahimoviçi deklaroi se “ndihëm mirë, jemi të uritur për të fituar dhe kemi vullnet të madh, mentalitet të fortë dhe kuptohemi shumë mirë me njëri-tjetrin, një kombinim shumë i mirë”. Suedia ka 2 fitore në 2 ndeshje, ndërsa Kosova i nisi eleminatoret e Botërorit me humbje.

Sfidanti.al