Kjo ndeshje e Kombëtares me Anglinë mund të quhet si një udhëtim 90 minutësh në të kaluarën! Krijuam vetëm një rast me në të Uzunit dhe të gjithë po qajnë për atë episod, duke harruar që Anglia “shkeli të drejtat e njeriut” duke privuar ekipin tonë t’i gëzohej edhe ai lojës dhe topit në fushën e re të Air Albanias. Dukej sikur anglezët ishin zemëruar më shumë me ne kur kishin dëgjuar trajnerin Reja që deklaroi se do t’i sulmonte ata, do të bënte presion, me një fjalë do t’ua prishte atë qetësinë angleze. Pse na duket sikur bëmë një udhëtim të frikshëm në të kaluarën?
Larg, shumë larg, gati gjysmëshekulli më parë, kur tifozët tanë gëzoheshin dhe harboheshin sikur kishim shënuar gol, vetëm e vetëm se kapërcenim vijën e mesit të fushës! Kushedi se kohë do të na duhet ta harrojmë gjuajtjen e Uzunit ! Se anglezët janë mësuar duke humbur raste dhe as nuk mbajnë mend sa shtylla goditën në portën tonë, apo të fiksohen si ne me Uzunin, kur sulmuesi botëror Kejn goditi shtyllën e sipërme kur porta jonë ishte hapur si fizarmonikë!
Thonë se Kombëtarja kur ka luajtur me Spanjën, kur humbëm 2 me 0, golat s’ishin asgjë në krahasim me përvuajtjen e madhe që nuk prekëm topin gjatë lojës. Kjo me anglezët do të mbahet mend se patëm një rast që e prekëm sferën e shenjtë, por topi na tradhëtoi duke shkuar në orbitë dhe portieri anglez humbi rastin e vetëm për të prekur topin, sa thonë tani se edhe dushi pas ndeshjes ishte i tepërt për të.
Një anglez iku pa bërë dush, jo sepse s’kishte ujë, por ndeshja s’kishte raste. Kurse një Italian që po gëzon pensionin duke përdorur si tespihe Kombëtaren tonë, trajneri Edi Reja, na e gjen mirë masën e kokës kur na thotë: “ Ishte ndeshje e mirë , por ju nuk kuptoni! Ishin.. Anglia ata përballë…”
Sfidanti.al