E diela ishte thjesht një parakalim, një etapë procesioni në bulevardet e Parisit, duke i bërë reklamë bukurive të kryeqytetit kulturor të botës. Grupi i madh i çiklistëve të Turit të Francës kaluan pranë Harkut të Triumfit, muzeumit të Luvrit, rrugëve e parqeve të shquara pariziene, me Kullën Ejfel në sfond, ndërsa u mbyll edicioni i 108-të i garës më të vjetër e më të madhe të çiklizmit në botë. Fituesi ishte po ai i vjetshmi, Tadej Pogaçar nga Sllovenia, që në moshën 22-vjeçare sheh përpara vetes një të ardhme të madhe.
Ku i dihet, ndoshta ai do të sulmojë rekordet e paprekura të Ankëtilit, Merksit, Hinosë apo Indurainit, që e kanë fituar Turin nga 5 herë. Pogaçari gjithashtu nuk është fenomeni i vetëm i çiklizmit nga Sllovenia e vogël ballkanase (ndonëse nuk i pëlqen që të cilësohet si pjesë e Ballkanit). E dashura e tij, Urshka Zhigart (24 vjeç) ka nisur gjithashtu fitoret ndërkombëtare. Kush nuk e njeh Primozh Rogliçin, dy herë fitues i Vueltës së Spanjës, po ashtu fitues i garave klasike si Liezh-Bastonjë-Liezh, Turit të Normandisë apo Tirreno-Adriatiko. Në këtë kategori hyn edhe Matej Mohoriç, që fitoi dy etapa këtë vit në Turin e Francës. Sllovenia me vetëm 2 milionë banorë dhe sipërfaqe 20 000 km2 po bën gjëra të mëdha që nuk po i bën dot as atdheu i Turit, pra Franca. Edhe pse ka 67 milionë banorë, nuk po krijon dot një fitues të garës së saj, ndërsa francezi i fundit që e ka fituar Turin mbetet Bernar Hino në 1985!
Sfidanti.al