Ekziston ende një pistë për gara “Kart” në rrethinat e qytetit të madh gjerman të Këlnit. Ekziston, por edhe për pak kohë, pasi një kompani biznesi i ka dalë për zot dhe ka ndërmend t’ia ndryshojë destinacionin. Biznesi i ri aty do të jetë ai minerar, pasi nëntoka është e pasur me qymyr. Bëhet fjalë për pistën e Kerpenit, vendlindjes së Mikael Shumaherit, i cili kur ishte i vogël nisi karrierën si pilot pikërisht në të, madje po ashtu edhe i vëllai, Ralfi.
Komuniteti i zonës po përpiqet më kot që ta ndryshojë këtë vendim, pasi siç duket edhe në Gjermani bashkësia e njerëzve dhe shoqëria civile jo gjithnjë ia dalin ndaj biznesit që di të “trokasë” deri në qeveritë e Landit apo në Berlin. Ata kërkuan të paktën që pista në Kerpen-Manhajm të zhvendosej në një vend tjetër, por duket se do të jetë sërish dështim. “Nuk do të ketë një pistë të re “kart”, – tha Ralf Shumaher për gazetën “Ekspres” të Këlnit, – është një turp që të rinjve u hiqet një traditë dhe një mundësi për sukses”.
Sfidanti.al