“Cherchez la femme”, do të thoshte Napoleoni i Madh, ndërsa në Angli do të thonë se “faji është i pronarëve”. Shumë prej tifozëve të klubeve ishullorë e kanë “në majë të hundës” me ata që kanë blerë aksionet e shoqërive të ekipeve të tyre të zemrës dhe këtu nuk bëjnë përjashtim as ata të Oldhamit. Përkrahësit e treguan gjithë zemërimin e tyre ndaj pronarit Abdallah Lemsagam dhe vëllait të tij, Mo, që është drejtor sportiv. Me gjasë ata nuk janë të lumtur me mënyrën sesi ata po e drejtojnë klubin dhe këtë e treguan edhe në ndeshjen e kampionatit kur pushtuan fushën pas humbjes me Kolçesteri. Zemërimi u shfaq edhe në ndeshjen e Kupës e Ligës (Karabao), kur tifozët hodhën topa tenisi në fushë, si dhe tymuese. Lojtarët u detyruan t’i hidhnin sërish topat e tenisit drejt tifozëve për të bërë të mundur që ndeshja të fillonte sa më shpejt dhe të mos kishte dënim nga Federata.
Sfidanti.al