“Paraqitja ime duket se nuk është e duhura”, pranon Hamiltoni

Nuk dihet nëse do të arrijë të reagojë në garë, por që nga e premtja e deri të shtunën, u la në hije nga shoku i skuadrës. Habi e madhe, pra, për Ljuis Hamiltonin, pasi kampioni i botës në Formula 1 ishte i pari që theu rekordin e pistës e Montmelosë në Barcelonë, me 1’16”038. Nuk u desh shumë që Valteri Botas të përgjigjej me 1’15”924 dhe kjo vetëm në seancën e dytë të provave zyrtare. Në pjesën e tretë dhe vendimtare, finlandezi e uli kohën edhe më shumë në 1’15”406, ndërsa anglezi mbeti në nivelet që ishte (dy të mijtat më i ngadaltë se vetvetja).

“Duket qartë se paraqitja ime nuk ishte në nivelin që duhet”, – pranoi Hamiltoni pas “pole positionit” të tretë radhazi të Botasit, një fyerje e vërtetë e krenarisë së tij si rekordmen botëror i provave zyrtare.

Ferrari pritet të reagonte në Spanjë, pasi do të bënte ndryshime në aerodinamikë, por ishte edhe më keq se më parë. Seb Fetel mbeti 8 të dhjetat prapa Botasit, ndërsa Leklerku, edhe më “zi”, me 1.1 sekonda vonesë. Ky i fundit, madje, doli i pesti, i lënë prapa nga Red Bulli i Verstapenit.

Gara e Çmimit të Madh të Spanjës do të zhvillohet sot në orën 14:00, ndërsa në renditje Botas kryeson me 87 pikë ndaj 86 të Hamiltonit, me Fetelin që ka 52 dhe Vertapenin 51. Për skuadra, Mercedesi mban kreun me 173 pikë nga 99 të Ferrarit.

Sfidanti.al