Pa Nejmarin dhe pa Arturin? Brazili fiton thellë, por tronditet!

Sulmuesi kryesor dhe ish-kapiteni nuk do të jetë në Kupën e Amerikës që zhvillohet në vendin e madh. Brazili mund të jetë organizator, por duket se do të duhet të llogarisë mungesat, pasi dëmtimet po shtohen. Nejmar do të jetë 4 javë pushim, ndërsa në miqësoren e fituar 7-0 ndaj Hondurasit, doli nga loja me lëndim edhe Artur Melo. Ylli i Barcelonës pritej të ishte “motori” i mesfushës së “selesaos”, por mori një goditje të fortë dhe u detyrua të linte fushën i hipur mbi një makinë të vogël të ndihmës së shpejtë.

Në Porto Alegre, Brazili mund të thuhet se shkëlqeu edhe pse në stadium ishin vetëm 16 000 spektatorë. Gabriel Zhezus shënoi dy gola për 2 minuta në pjesën e parë, ndërsa Filip Kutinjo realizoi me penallti po përpara pushimit. Hondurenët mbetën me 10 vetë që në minutën e 29-të kur Romel Kiloto u përjashtua me të kuq, ndërsa pas pushimit brazilianët rreshtuan golat. Sërish Gabriel Zhezus që në 47’, më pas David Neres i Ajaksit dhe Roberto Firmino i Liverpulit. Trajneri Tite ka në dispozicion një skuadër shumë të fortë, por që do të ketë mungesa, dhe që ndonjëherë nuk bind plotësisht.

Sfidanti.al