Thonë të moçmit në futboll se për fitoren mund të thuhen shumë gjëra, edhe të pavërteta, por humbja mbetet humbje dhe kur i thurr kordele të bukura. Edhe kjo e Islandës, për të cilën po thuhet se nuk paska qënë e merituar, kjo ndofta edhe për hatër të trajnerit “debutues” Edi Reja, sikur nuk po tretet. Por, ama, kur vjen puna tek goli që pësuam, askush nuk pohon dot se Kombëtarja e ka ndryshuar modën në thithjen e golave. Vetë trajneri Reja ka goditur në shenjë me frazën që na duket si muzikë e hershme : “ Mbrojtësit tanë tek momenti i golit dukeshin si birila..”. Sa vite kemi që ndjekim lojën e birilave në kurriz të portës sonë, një traditë gati stoike me të gjithë trajnerët e huaj, që ndezën shpresën qysh me Brigelin e deri më sot me Rejën, duke e forcuar kulturën e “birilave”…
Edhe ky goli i fundit në Islandë, ku 3 apo 4 mbrojtës të Kombëtares, si në një sintoni të orkestruar , humbën busullën bashkarisht , i dëshmoi trajnerit Reja se filozofia e pësimit të golit tek ne është më e ngulitur sesa ajo e shënimit të golit. Edhe pse sulmuesi Sadiku “driblon pa top”, ngushellon shokët…fajëson erën e madhe që “kurdisën” islandezët , të gjithë ata që ndjekin telenovelën kuqezi e dinë mjaftueshem se si në diell, në shi apo ne erë, kur pësojmë gola, jemi vazhdues besnikë të një tradite , që ndofta nuk varet as nga zotësia e trajnerët…
Sfidanti.al