Osaka, kampionia e re mund të jetë multimilionerja e ardhshme

Ajo është fituesja e parë e një Grand Slemi të tenisit nga Japonia. Ajo është tepër e re, vetëm 20 vjeç, dhe shumë e talentuar. Naomi Osaka është vajzë e thjeshtë, e sinqertë, tepër simpatike si paraqitje dhe si tip. Ajo ka prejardhje të përzier edhe nga Haiti dhe nga SHBA. Agjenti që merret me marketingun e saj, skocezi Stjuart Daguid, thotë se “Naomi e ka të gjithë paketën”, pra ka gjithçka që i duhet për të qenë një sukses i madh botëror. Kjo do të thotë se vajza japoneze mund të “korrë” fitime të mëdha nga popullariteti i saj, por padyshim së pari prej sukseseve në fushë.

Kontrata e saj me Adidasin mund të rinovohet në fund të vitit për 10 milionë USD, po ashtu pritet të ketë sponsorë të tjerë. Nuk është gjë e vogël të jesh i suksesshëm në sport dhe të jesh nga Japonia. E vërteton Kei Nishikori që ka sponsorizime 30 milionë USD në vit, i dyti në botë pas Federerit. Kjo, pasi tregu aziatik është tepër i madh.

Sfidanti.al