A mund të jetë ky mesazhi? Qoftë edhe kur ky sport quhet Artet e Përziera Marciale, dhe Botërori i luftës UFC! Konor Mekgregor e dha këtë mesazh pak muaj përpara ndeshjes që hyri në histori ndaj Habib Nurmagomedovit, mori mallkimin e gjithë botës, u kërcënua se do të përjashtohej përjetë nga garat, dhe më pas iu vunë prangat e doli para gjyqit.
Hesapet e tij me drejtësinë nuk kishin mbaruar, ndërsa ai shpalosi duelin e tij më të madh të karrierës, atë ndaj 30-vjeçarit nga Dagestani pjesë e Rusisë, dhe me origjinë nga avarët e lashtë.
Siç është e zakonshme, në konferencat për shtyp, dhe në “bisedat e shpenguara”, që iu shitën publikut për të rritur interesimin për ndeshjen dhe çmimet e biletave, u thanë shumë gjëra që mund të jepen vetëm me zhurmues apo me pullë të kuqe.
Protagonisti ishte pikërisht Mekgregori, që e talli kundërshtarin e tij, u përpoq ta godiste, ia quajti terroristë pjesëtarët e stafit, ndërsa e provokoi në besimin e tij mysliman duke i ofruar një gotë alkool.
E gjitha kjo nuk u përmend edhe aq, kur në fund të superndeshjes, fituesi Nurmagomedov kërceu mbi gardhin e kafazit për t’u përleshur me një pjesëtar të skuadrës së Mekgregorit, të quajtur Dilon Denis.
Luftëtari dagestanas u sulmuar ashpër nga mediat në Europë dhe Amerikë, u kërcënua nga presidenti i UFC-së, Dejni Uajt se do t’i hiqej titulli, ndërsa ende nuk i janë dhënë paratë e premtuara për ndeshjen, e kundërta e asaj që ka ndodhur me Mekgregorin.
Gjithsesi, brenda në kafaz ndodhi një sherr tjetër, ai mes Mekgregorit dhe babait të Nurmagomedovit, dhe me një pjesëtar të stafit të rusit nga Dagestani.
Përse Nurmagomedovi sulmoi Dilon Denisin? Një nga komentatorët e UFC-së, Xho Rogan, pohoi se Denisi e ofendoi vazhdimisht atë gjatë ndeshjes. Tabloidi britanik “Deili Meil”, ndërkaq, shkruan se ishte Mekgregor që nisi sherrin në kafaz duke goditur i pari babanë e Nurmagomedovit. Po kampioni i botës çfarë tha pas sherrit.
“Unë dua t’i kërkoj falje Komisionit Atletik të Shtetit të Nevadës, – u shpreh ai, – Kjo nuk ishte sjellja ime më e mirë, por unë u provokova për muaj me radhë. Kundërshtari im ofendoi besimin tim, vendim tim, babanë tim. Ai sulmoi një autobus në Bruklin dhe thuajse vrau dy njerëz. Pra, përse ju nuk flisni për këto, për flisni për mua? Unë tregova respekt. Kundërshtari im dhe gjithë njerëzit e tij janë thjesht llafazanë, por unë sot ua mbylla gojën. Ky është sport i respektit, nuk është sport i ofendimeve. Unë dua ta ndryshoj këtë sport, në mënyrë që të mos ofendojmë besimet fetare dhe kombet. Kjo është gjëja më e rëndësishme”.
Nurmagomedovi 30-vjeçar e fitoi me meritë të plotë luftën në Las Vegas, duke mbrojtur titujt e kampionit të botë në peshën e rëndë të UFC-së. Ai i dha goditje të forta Mekgregorit, ndërsa e dominoi me specialitetin e tij, kapjet dhe vënien përfund derisa e detyroi të dorëzohej në raundin e katërt.
Sfidanti.al