Nuk ka “zbutje të së pabindurës”, yjet e Premier Ligës nuk e ulin rrogën!

Arsyetimet janë nga më të ndryshmit, por thelbi i çështjes është ky: futbollistët e kampionatit anglez nuk kanë ndërmend të pranojnë zbritje të pagës për shkak të krizës së koronavirusit, të paktën jo sipas propozimit të klubeve. Mediat britanike njoftojnë se pësoi dështim videokonferenca më e fundit mes palëve, me lojtarët që u udhëhoqën nga kapiteni i Liverpulit, Xhordan Henderson.

Përse yjet nuk duan uljen e rrogës? Ata thonë se klubet kanë mjaftueshëm para për t’i paguar deri në fund të sezonit, dhe po ashtu propozojnë që rrogat të mos ulen, por të ketë shtyrje të pagesave, për t’i marrë të plota në një kohë më të vonshme. Gjithashtu, argumenti tjetër është që ekziston shqetësimi për futbollistët e paguar më pak, pra të ekipeve të vendeve të fundit të renditjes, apo që kanë më pak fuqi financiare.

Kjo sepse ata mund të pësojnë ulje të dyfishtë të rrogës tani, por edhe nëse skuadra bie nga kategoria, në bazë të klauzolave në kontrata. Pavarësisht, gjithçkaje opinioni publik nuk e ka pritur mirë qendrimin e lojtarëve, ndërsa fillimisht u tha se yjet nuk donin ulje rroge sepse kjo do të pakësonte me 200 milionë të ardhurat e shtetit britanik nga taksimi i tyre.

Sfidanti.al