Koronavirusi sjell “qametin” për Premier Ligën, mbi 1 miliardë paundë humbje!

Përtej polemikave dhe imazhit të dëmtuar, e kanë një lloj të drejte.

Klubet e Premier Ligës angleze llogaritet të pësojnë humbje të mëdha për shkak të ndërprerjes së sezonit nga epidemia e koronavirusit. Nëse kampionati anulohet, dëmi financiar për 20 klubet e elitës llogaritet në pak më shumë se 1 miliardë paundë stërlina.

Më shumë goditet Mançester Junajtidi me mbi 116 milionë, pastaj Mançester Siti me 109 milionë, Liverpuli me 102, Çelsi me 91 milionë e kështu me radhë. Klubet do të humbisnin nga mungesa e të drejtave televizive, nga të ardhurat nga biletat, si dhe nga sponsorët.

Gjithsesi, të tillë si Mançester Siti dhe Mançester Junajtidi kanë deklaruar se nuk do të nxjerrin punonjës në asistencë, për të shfrytëzuar skemat qeveritare që u siguron atyre 80 për qind të pagave.

Edhe Liverpuli, tepër i kritikuar për nxjerrjen e punonjësve në asistencë, e ktheu vendimin. Shefi ekzekutiv, Piter Mur, pranoi se klubi kishte gabuar me vlerësimin e bërë dhe se ishte i keqardhur, ndërsa shtoi se të gjithë punonjësit do të vazhdojnë punën e do të paguhen normalisht. Ish-lojtarë të shquar liverpulas, si ish-kapiteni Xhemi Karrager, apo ish-mesfushori gjerman Ditmar Haman, lëshuan qortime të ashpra për drejtuesit, kur ata menduan t’i nxirrnin punonjësit në asistencë, duke i akuzuar se kjo nuk kishte lidhje me vlerat historike të klubit. Po ashtu, tifogrupi “Shpirti i Shenklit” u indinjua dhe kërkoi llogari për veprimin.

Tashmë, gjithçka u kthye si më parë, ndonëse disa klube të Premier Ligës i kanë nxjerrë punonjësit në asistencë, siç kanë bërë Totenhemi, Njukasëlli, Bornmuthi apo Noruiçi. Akuzat ndaj pronarëve të tyre kanë qenë të forta nga ana e mediave dhe e publikut, si njerëz që janë miliarderë, që jetojnë në parajsa fiskale, që kanë shpenzuar qindra milionë në jahte, vila, makina, aeroplanë apo helikopterë, por që duan të shfrytëzojnë paratë e taksapaguesve britanike për të mbuluar humbjet e tyre financiare.

Sfidanti.al