Tomas Strakosha nuk e nëvleftëson veten, do 2 milionë euro pagë fikse në vit!

Akordi i tanishëm e mban në “Olimpiko” edhe për dy vjet. E tillë gjendja e Tomas Strakoshës, portierit të kombëtares shqiptare, që vazhdon të shkëlqejë tek Lacio, me klubin e Serisë A që nuk dëshiron ta humbasë. Klube të shumtë në Itali dhe në Europë e duan 25-vjeçarin, sidomos Evertoni i Ançelotit dhe Totenhemi i Murinjos.

Drejtori sportiv, Igli Tare, i ka ofruar rinovimin me rrogë bazë të rritur në 1.5 milionë euro, që do të shkonte në 2 milionë euro bashkë me shpërblime të ndryshme. Për momentin, Strakosha fiton 1 milionë euro në sezon, plus 500 000 të tjera si shpërblime. Burime pranë Lacios pohojnë se portieri shqiptar do të donte një rritje më të rëndësishme rroge, me 2 milionë euro fikse, plus shpërblimeve, ndërsa mbetet të shihet sesi do të shkojnë bisedimet.

Lacio ka probleme për shkak të koronavirusit, si çdo klub tjetër në Itali dhe në Europë, ndaj nuk do të jetë e lehtë të ruhet standardi i tanishëm për pagat. Strakosha ka 8 vjet te klubi kryeqytetas, ndërsa është huazuar edhe tek Salernitana, ndërsa ka debutuar në Serinë A që në 2016-të, kur ishte 21 vjeç.

Sfidanti.al