Nuk humbet vetëm Barcelona e futbollit, ja edhe ajo e koshit!

Barcelona e basketbollit e ndjen veten gjithnjë e më të pafuqishme për të imituar Barçën e futbollit. Disfata në fushën e Bambergut në Gjermani tregoi edhe një herë sesa e vështirë është të krijohet “Skuadra Ëndërr” e koshit, dhe spjegoi se përse katalanasit e parketit kanë fituar vetëm një titull kampion të Europës, ndaj 5 të katalanasve të lojës me porta të mëdha. Edhe pse e mbushur me emra të rëndësishëm, Barça u thye keqaz në ndeshjen e javës së 16-të të Euroligës, duke humbur jo vetëm ndeshjen me 20 pikë diferencë, por edhe përballjen direkte me Bambergun nëse në fund përfundojnë me pikë të barabarta në renditje. Ndeshja e parë në “Palau Blaugrana” përfundoi me vetëm 4 pikë epërsi për Barçën, ndërsa të dy ekipet kanë renditje të njëjtë me nga 7 fitore e 9 humbje.

Bambergu u udhëhoq nga amerikani Darius Miler që shënoi 20 pikë, dhe u tregua i saktë në 6 nga 8 tripikëshat e gjuajtur. Po 20 pikë realizoi edhe baltikasi Janis Strelnieks, ndërsa italiani Nikolo Meli shtoi 17 pikë si dhe kapi 13 topa në tabela. Së fundi, Daniel Tajs shënoi 11 pikë. Nga Barcelona, vetëm amerikani Tajris Rajs mundi ta shpëtonte veten me 19 pikë, ndërsa askush tjetër nuk arriti dot as deri tek shifra 10. Bamberg kryesoi deri në 21 pikë, pastaj miqtë u afruan në 60-66, por përfundimi ishte 85-65 për gjermanët. Në ndeshjet e tjera të javës së 16-të luajtura deri tani, rezultatet ishin: Anadolu Efes-Gallatasaraj 84-73, Makabi-Darushafaka 93-92, Vitoria-Uniks Kazanj 102-70. Renditja: CSKA e Moskës 12 fitore e 3 humbje, Vitoria 11-5, Real 10-5, Olimpiakos 10-5, Panathinaikos 9-6, Fenerbahçe 9-6, Darushafaka 8-8, Anadolu Efes 8-8.

Sfidanti.al