Stefka Kostadinova kundër anulimit të rekordeve të vjetër

Ish-kampionia olimpike bullgare në kërcimin së larti, Stefka Kostadinova i kritikoi me forcë propozimet që janë bërë kohët e fundit, për anulimin e rekordeve botërorë, në përpjekje për të kthyer besimin tek atletika “e pastër” pas një serie të gjatë skandalesh dopingu. Kostadinova që është rekordmene bote në kërcimin së larti, me rekordin 2.09 m, që e ka vendosur në Kampionatin Botëror të Romës, më 1987, thotë se një veprim i tillë nuk do të ishte “as korrekt dhe as i ndershëm” kundrejt të gjithë atyre sportistëve që kanë arritur me ndershmëri në majat e karrierave të tyre. Vitin e kaluar, Federata e Atletikës së Britanisë (UKA) kërkoi që të gjithë rekordet të anulohen, ndërkohë që ata atletë, për të cilët do të provohet se kanë përdorur doping, të dënohen me tetë vite mospjesëmarrjeje në gara. Një propozim i tillë erdhi edhe nga Shoqata Ndërkombëtare e Gazetarëve Sportivë (AIPS), presidenti i së cilës, Xhani Merlo, i dërgoi një letër të hapur Federatës Ndërkombëtare të Atletikës për Amatorë (IAAF).

Stefka Kostadinova 51-vjeçare që fitoi medalje të artë olimpike në Atlanta, më 1996, dhe që, aktualisht, është presidente e Komitetit Olimpik Bullgar, thotë se një propozim i tillë është “i çmendur”! “Ideja që të hiqet dorë nga rekordet botërorë të mëparshëm është sa e papërgjegjshme, aq edhe e pandershme. Që të forcohen rregullat kundër përdorimit dopingut është diçka e mirë, por kjo nuk do të thotë se duhet të hiqet dorë nga e gjithë e kaluara”, deklaroi Kostadinova. Atletika bullgare, në fakt, ka pasur, kohët e fundit, disa probleme jo të vogla lidhur me dopingun. Sprinterja Ina Eftimova, vrapueset e distancave të mesme, Daniela Jordanova, Vanja Stambollova dhe Teodora Kollarova, kërcyesja e kërcimit së larti, Venelina Veneva, dhe hedhësi i çekiçit, Adrian Andreev, kanë patur teste pozitivë gjatë këtyre viteve të fundit.

Sfidanti.al