Për momentin, është më dominuese sesa skuadra më e mirë e meshkujve. SHBA në futboll për femra mund të krahasohet me Brazilin e Pelesë (1958-1970), apo atë të viteve 1994-2002, sepse sundimi në Kupat e Botës nuk po gjen fundin. Në stadiumin e Lionit, amerikanet triumfuan 2-0 ndaj Holandës, mbrojtën titullin e fituar herën e fundit, dhe kanë tani 4 Botërorë, një rekord që vazhdon të thellohet.
Megan Rapinoi me penallti dhe Rouz Lavelë ishin autoret e golave për vajzat e ardhura nga përtej Atlantikut, që merituan gjithçka. Holanda luftoi fort, duke mos u lodhur e mos u dorëzuar në pjesën e parë, por pas pushimit nuk mundi. Aleks Morgan fitoi penallti (me ndihmën e VAR-it) dhe Rapinoi nuk gaboi nga 11 metra larg. Më pas, mbrojtja holandeze u hap sepse europianet kërkuan barazimin, dhe e shkëlqyera Lavelë pati mundësinë për të golin e dytë.
Skuadrat nga Europa, si Franca, Anglia, Gjermania, Norvegjia, Suedia e Holanda, shpresuan ta ndryshonin traditën, por duket se do të duhet kohë për të mbërritur nivelin e kombit udhëheqës të futbollit të femrave. Megan Rapinoi fitoi Topin e Artë si lojtarja më e mirë e Botërorit, si edhe Këpucën e Artë, si shënuesja më e mirë me 6 gola, po aq sa Aleks Morgani dhe anglezja Elen Uajt.
Sfidanti.al