Robin van Persie ndodhet ndoshta në momentin që nuk do ta dëshironte kurrë. Orë të gjata ankthi dhe shqetësimi për sulmuesin holandez të Fenerbahçes, i cili ka qenë viktimë e një ndërhyrjeje të dhunshme gjatë ndeshjes së kampionatit turk kundër Akhisar Belediyspor.
Pasojat e asaj ndërhyrjeje janë të rënda. Holandezi ka rrezikuar të humbasë shikimin nga syri i majtë, pas përplasjes me shpatullën e një lojtari kundërshtar. Situata është ende për t’u monitoruar.
Van Persie u transportua me barrelë dhe me syrin e gjakosur e të fashuar nga fusha e blertë, e me të mbërritur në spital u vu nën kujdesin e mjekëve duke shmangur më të keqen.
“Robin ka pësuar një goditje në sy, gjë që shkaktoi gërvishtje dhe gjakosjen e qepallës së syrit. Pas ndihmës së parë të dhënë nga ekipi mjekësor i skuadrës, është dërguar në spital për kujdes më të specializuar. Gjithsesi kushtet janë të mira”, thotë mjeku i Fenerbahçes.