Nga Rusia me dashuri, Shqipëria ka një kampion Europe si Matvej Petrovi!

Kampionët pa ndalim ikin prej këtij vendi. Shqipëria është mësuar t’i humbasë yjet e sportit, ashtu si shumë qytetarë të tjerë në emigracion, ndërsa ata bëhen kampionë olimpikë, të botës e të Europës nën flamuj të tjerë. I tillë një Pirro Dhima, një Mirela Manjani apo një Elis Guri. Gjithsesi, rrjeta u kthye në të kundërt, të paktën për një herë të vetme, dhe që nga Rusia e madhe erdhi si dhuratë për Shqipërinë e vogël një kampion.

Quhet Matvej Sergejeviç Petrov, është gjimnast dhe i dha vendit tonë titullin e parë kontinental. Sportisti 30-vjeçar shkëlqeu në Kampionatin Europian të gjimnastikës artistike të mbajtur në Mersin të Turqisë duke fituar medaljen e artë në kalin me doreza. Në një konkurrim të fortë, ai la pas kroatin Filip Ude dhe turkun Ferhat Arixhan.

Por, cili është Matvej Sergejeviç Petrovi, dhe si i shkoi ndërmend të përfaqësonte Shqipërinë? Ai ka lindur në qytetin e vogël, Selco, emri i të cilit përkthehet “fshat”, nja 350 km në jugperëndim të Moskës, dhe nga fëmijëria në dimrin rus u bë një kampion i gjimnastikës. Matveji përfaqësoi disa herë Rusinë në duke fituar edhe medalje europiane, por nuk mundi të kualifikohej për në Lojrat Olimpike në Rio de zhaneiro në 2016.

Pas kësaj, në mënyrë të pabesueshme, e mbylli karrierën 26 vjeç, ndonëse në gjimnastikë kjo quhet moshë e madhe. Braktisi edhe ekipin e tij në Kaliningrad, Kënigsbergu i gjermanëve, për t’u vendosur në një nga kryeqytetet më të bukur të Europës dhe të gjithë botës, në Pragë. E mbiquajtur nga çekët “Zllatna Praha”, “Praga e Artë”, ajo u bë shtëpia e dytë për Petrovin, ndërsa aty ndodhi kontakti me Shqipërinë.

Në qendrën e dikurshme të studentëve shqiptarë, në kohën e kampit socialist, Matveji u njoh me një shqiptar që ishte pikërisht drejtori i palestrës ku ai ishte instruktor. Nga njohja dhe puna e përbashkët, erdhi mendimi për të përfaqësuar Shqipërinë, dhe kjo gjë u bë realitet. Petrovi garoi për kombëtaren kuqezi të gjimnastikës disa herë, derisa arriti kulmi këtë të diel në Europianin e Turqisë. Pikërisht tani, 30-vjeçar, vështirë që ai të mund të arrijë suksese të tjerë të mëdhenj, ndonëse Matvej Sergejeviç Petrovi e tregoi se nuk e ka problem moshën.

Sfidanti.al