Nga Platini tek Infantino, futbolli po dështon të luftojë racizmin

Një nga lojtarët e njohur anglezë, Deni Rouz, tha këto ditë se gjobat që vendosen për racizëm në futboll, janë baraz me paratë që shpenzohen në një darkë të mirë. Ky është niveli i luftës së këtij fenomeni nga klubet dhe federatat në Europë, dhe Rouz thekson se disa herë ka menduar t’i japë fund karrierës si pasojë e ofendimeve.

Gazetari i njohur britanik, Oliver Holt, kujton racizmin ndaj lojtarëve me ngjyrë të Anglisë, në një ndeshje në Spanjës në 2004. “Në “Bernabeu” unë përjetova një nivel abuzimi ndaj dy zezakëve të Anglisë (Rajt-Filips dhe Koul), që nuk e kisha parë ndonjëherë më parë”, – ishin fjalët e tij. Holti tregon se një gazetar spanjoll e kritikoi duke thënë se ai nuk e njihte kulturën e vendit, ndërsa më e keqja ishte kur gazetari pyeti Mishel Platininë, presidentin në fuqi të UEFA-s, gjatë Euro 2012-ës se “çfarë do të bëni ju, nëse një lojtar me ngjyrë e braktis ndeshjen për shkak të racizmit?” Përgjigja e ikonës franceze ishte shumë pak prej ikone: “Ne do ta gjobisim”.

Rouz përjetoi racizmin kur luajti në Serbi me Anglinë U21, dhe e dinte se çfarë do të ndodhte me Anglinë në Mal të Zi, ku Rahim Stërling u abuzua pa masë. Oliver Holt i vë pikat mbi “i” kur bën një analizë të thjeshtë. “Le të mos tallemi dhe të themi se po luftojmë racizmin, – shkruan ai, – ndryshe, nuk do të shpenzonim 500 herë më shumë për të paguar agjentët e lojtarëve sesa për të luftuar racizmin. Do të mjaftonte që Premier Liga të shpenzontë 0.01 për qind e 8.3 miliardë paund stërlinave të së drejtave televizive, dhe racizmi do të luftohej shumë më mirë”.

Sfidanti.al