Nga kombëtarja e Rusisë tek gruaja e parë në NBA, kjo është Beki Hamon!

Në moshën 43-vjeçare realizoi një ëndërr të madhe dhe një rekord. Asnjëherë më parë një grua nuk kishte drejtuar si trajnere nje skuadër të NBA-së, por këtë e bëri Beki Hamon, ndihmësja e trajnerit të parë, Greg Popoviç. Ky i fundit u përjashtua nga gjyqtarët në periodën e dytë të ndeshjes së San Antonios ndaj Lejkërsave, dhe drejtimin e ekipit e mori Beki. Ajo nuk mundi të shmangte humbjen 107-121, edhe pse në minutat e fundit Spërsat u afruan në 8 pikë. “Një gjë e madhe në një moment të veçantë, – shkruajti Beki në Tuiter, – kam qenë pjesë e Spërsave për 13 vjet, pra kam investuar shumë këtu, po ashtu klubi ka investuar shumë tek unë. Në këtë moment, nuk dua të mendoj për këtë fakt, por thjesht sesi të ndihmoj ekipin për të fituar”. Beki Hamon u bë çështje në SHBA kur vendosi të vishte uniformën e kombëtares së Rusisë në basketboll për femra, në mënyrë që të merrte pjesë në Lojrat Olimpike 2008 në Pekin, ku ajo fitoi medaljen e bronzit. SHBA nuk do ta kishte zgjedhur në ekip. Pati shumë polemika në atë kohë, por jeta vazhdoi dhe Beki vendosi rekordin në NBA.

Sfidanti.al