Më i fortë se pandemia, një Bajern historik dominoi vitin 2020!

Nëse nuk bëri dot gjashtë, ishte për faj të pandemisë. Bajerni i Mynihut ishte dominuesi i vërtetë i vitit që mbyllet duke fituar çdo trofe të mundshëm, plot pesë të tillë. Me gola të shumtë, me lojë spektakolare dhe me finale të sunduara, skuadra e trajnerit Hansi Flik shkruajti ndoshta faqen më të bukur të historisë së klubit. Titulli në Bundesligë, ai në Champions, Kupa e Gjermanisë si dhe dy Superkupat, e Europës dhe ajo gjermane, erdhën radhazi, dhe vetëm Kupa e Botës për klubet i shpëtoi për shkak se u shty nga FIFA.

Nëse gjithçka do të kishte shkuar normalisht, Bajerni mund të kishte barazuar rekordin e Barcelonës së 2009-ës që drejtohej nga Pep Guardiola. Kampionët kaluan radhazi rivalët nëpër finale, duke thyer Leverkusenin në kupën gjermane, Paris SG në Champions, Seviljen në Superkupën europiane dhe Dortmundin në Superkupën gjermane. Në total, gjatë këtij viti, skuadra e Hansi Flikut shënoi plot 149 gola, një shifër vërtet e lartë edhe për ekipe që gjithnjë kanë realizuar shumë si Barcelona apo Mançester Siti.

Bavarezët u udhëhoqën sidomos nga Robert Levandovski, që pati rekordin e golave dhe që u shpall lojtari më i mirë i vitit në Europë dhe në botë, përkatësisht nga UEFA dhe FIFA. Ata humbën vetëm një ndeshje, ndërsa sundimi i sezonit të kaluar po vazhdon edhe në këtë edicion, ndonëse rivaliteti në Bundesligë duket më i madh.

Sfidanti.al