Nga golat e Brojës e Seferit, tek asitet “turq” të Çekiçit dhe Lenjanit!

Disa prej tyre ia dolën që të shkëlqenin përsëri. Futbollistët shqiptarë shënuan gola dhe shërbyen asistë, duke ndihmuar ekipet e tyre për të fituar apo për të marrë pikë, në ligat e ndryshme nëpër botë. Për Armando Brojën lavdërimet janë dhënë që më parë, pasi realizoi për herë të parë për Çelsin në Premier Ligën angleze, në fitoren 3-0 ndaj Uolvesit, duke pasur nevojë për më pak se 20 minuta. Gol edhe Taulant Seferi në Premier Ligën e Ukrainës, pra në nivelin më të lartë të futbollit të atij vendi. Ish-sulmuesi i Tiranës, që është pjesë e kombëtares, shënoi për Vorsklën e Poltavës në ndeshjen ndaj Çornomorecit të Odesës, fituar 2-1. Goli i fitores ishte pikërisht nga sulmuesi shqiptar i Maqedonisë së Veriut, me asist të ish-lojtarit tjetër të Tiranës, Tolit.

Duke kaluar në Superligën e Turqisë, aty kuqezinjtë nuk kanë shënuar, por kanë ndihmuar të tjerët që ta bëjnë. Endri Çekiçi u kthye nga dëmtimi që e pengoi të luante për kombëtaren ndaj Izraelit dhe Islandës në Ligën e Kombeve, duke shërbyer asistin fare në fund për barazimin 1-1 të Konjasporit në fushën e Antaliasporit. Në një përballje të vështirë, u desh vendimi i VAR-it për të shqyrtuar një pozicion të mundshëm jashtë loje, por goli u cilësua i rregullt. Ermir Lenjani shërbeu gjithashtu asist në barazimin 2-2 të ekipit të tij, Ymranijespor, në shtëpi ndaj Kaizerisporit, duke ndihmuar në epërsinë e përkohshme 2-1. Duke kaluar në Ligën Profesioniste Amerikane, pra përtej Atlantikut, Xhakomo Vrioni ishte aktiv për Nju Inglënd Revolushën në fushën e Çikago Fajërit. Sulmuesi kuqezi pati disa mundësi për të shënuar, por nuk ia doli në sfidën që përfundoi 1-1.

Sfidanti.al