Ne ose kemi një memorie shumë të dobët, ose na është bërë zakon të grindemi seriozisht vetëm me veten dhe kështu që ata që drejtojunë, as që e vrasin më mendjen të mbajnë përgjegjësi për ato që bëjnë, apo që thonë. Pas ritit të shortit që u hodh në Frankfurt, ku u njohëm me kundërshtarët e eleminatoreve të Europianit të vitit 2024, shpërtheu menjëherë një histeri parashikimesh optimiste dhe konkluzioni i të gjithëve kishte një refren të përbashkët: Këta kundërshtarë nuk kanë asgjë më shumë se ne. Presidenti i FSHF-së shpalosi i pari objektivin tonë madhor, që prej kohësh është kualifikimi, madje dy herë për çdo mandate të ri që fiton. Dhe pas Rejas, i cili na u drejtua me ëmbëlsinë e një të moshuari të vuajtur, duke e cilësuar Kombëtaren “ekipi ynë”, shpërthyen ovacionet e atyre që shajnë nëpër stadiume dhe përshëndesin me përulësi gjithçka, nëpërmjet studiove televizive.
Sipas optimistëve, kupa është më shumë se gjysmë e mbushur dhe për këtë rreshtuan një sërë argumentesh të pakundërshtueshme. Polonia për shembull, nuk është ndonjë skuadër për të të lënë mbresa, madje edhe Levandovskit po i perëndon ylli dhe veç të tjerash, kur të mbërrijë përsëri në Tiranë do të jetë edhe disa muaj të tjerë më i madh në moshë, gjë që bën efekt. Çekia është njëlloj me ne, ndoshta edhe më pak, kështu që mund ta kalojmë rehat dhe kështu që të paktën vendin e dytë e kemi të sigurtë. Ndërsa Bjellorusinë e Lukashenkos dhe Ishujt Faroe do t’i shkepim me gola. Ja kaq e thjeshtë është llogaria, tani le të fillojë festa…
Ndërkohë që askush nuk ka insistuar deri tani, kuptohet me ato mundësi që ka, të informohet për ndonjë analizë të bërë pas eleminatoreve të turpshme të Ligës së Kombeve. E quajtëm një assist të Putinit largimin nga futbolli të Rusisë, por na mundi dy herë Izraeli dhe nuk e mposhtëm dot asnjëherë Islandën edhe kur këta të fundit luanin me 11 futbollistë, edhe kur luanin me një më pak. Dhe tani na premtojnë përsëri parajsën, ndërsa ne përsëri i duartrokasim, sikur të ishim klonuar nga koha e revolucionit kinez.