Historia e 700 golave të CR7-ës që nisi 20 vjet më parë tek Sportingu!

Ishte thuajse saktësisht 20 vjet më parë. Në 7 tetor 2002, një djalosh ende 17-vjeçar me emrin Kristiano Ronaldo shënonte golin e tij të parë të karrierës për Sportingun e Lisbonës. Lumturia natyrshëm ishte e madhe si për çdo adoleshent që ka ëndrra futbolli, por as në ëndrrën më të çmendur legjenda e sotme e topit nuk e kishte menduar se do të arrinte në 700. Flasim për golat e shënuar për ekipet e klubeve, dhe këtë shifër-rekord Kristiano e arriti pasi shënoi në emër të Mançester Junajtidit në portën e Evertonit. Fati e desh që të ndodhte larg “Old Trafordit”, në stadiumin “Gudison Park”, ndërsa ishte edhe rrjeta e fitores 2-1 në Premier Ligë.

Në dy dekada, personaliteti i madh i futbollit ka qenë i pandalshëm me çfarëdo fanelë që ka veshur. Pas Sportingut, ai u bë burrë pikërisht tek Mançester Junajtidi me 118 rrjeta për 6 sezone, ndërsa bashkë me ato që ka realizuar këta dy vjet, arrin në 144. Me Realin e Madridit e nisi në 2009 dhe e përfundoi në 2018, duke shënuar 450 gola. CR7 është rekordmeni i rrjetave për klubin e madh madrilen, ashtu siç është edhe rekordmeni në Champions me 140 rrjeta. Me Juventusin ia doli 101 herë, duke nisur nga kjo goditje në portën e Sasuolos 4 vjet më parë.

Gjithsesi, këta muaj tek Mançester Junajtidi nuk kanë qenë mjaltë, dhe Kristiano është lënë në stol shpesh ose është zëvendësuar.  Trajneri Erik Ten Hag beson se kjo do të ndryshojë. “Është gjithmonë mahnitëse kur një lojtar shënon 700 gola, – tha ai, – një arritje madhështore. Jam i bindur se golat tani e tutje do të jenë të shumtë. Jam shumë i lumtur për të dhe e përgëzoj”.

Në total, Ronaldo ka 817 gola, pasi ka 117 me kombëtaren e Portugalisë, dhe është rekordmeni i të gjitha kohëve. Gjithsesi, edhe një “kanibal” i tillë si portugezi rrezikon ta humbasë rekordin e 700 rrjetave. Lionel Mesi, rivali i tij i madh, ka arritur në 683 gola për ekipet e klubeve dhe 773 në karrierë. Jo vetëm kaq, por një “kanibal” i ri ka dalë në skenë. Erling Halandi po arrin në 200 rrjeta ndërsa është vetëm 22 vjeç.

Sfidanti.al