Nedim Bajrami shpresohet të luajë në kombëtare, KAS vendos në gjyqin me FIFA-n

Kemi trokitur disa herë në atë derë. Shqipëria është bërë fytyrë e njohur në Gjykatën Sportive të Apelit në Lozanë, shkurt KAS, ndërsa sot pret një vendim pozitiv. Pas fitoi çështjen me UEFA-n për ndeshjen Serbi-Shqipëri në eleminatoret e Europianit, dhe pasi humbi me Skënderbeun apelimin ndaj dënimit të UEFA-s, Federata jonë e topkëmbës shpreson që të triumfojë për rastin e Nedim Bajramit. Mesfushori që luan për Empolin në Serinë A italiane dëshiron të jetë pjesë e kombëtares kuqezi, diçka që FIFA nuk e ka lejuar, ndaj edhe palët përballen në KAS, me seancën e programuar për sot.

Nuk pritet të njoftohet vendimi, edhe nëse ai do të merret, por ekziston shpresa se mund të jetë pozitiv. Bajrami nuk ka luajtur asnjë ndeshje për ekipin kombëtar të Zvicrës, ndonëse ka qenë pjesë e ekipeve përfaqësuese të moshave, nga U15 deri në U21. Vetë futbollisti ka shprehur dëshirën që të luajë për Shqipërinë, një faktor i rëndësishëm për vendimin e pritshëm të KAS-it, dhe nga ana e Zvicrës deri tani nuk ka pasur pengesa.

Pretendimi i vetëm që do të ketë FIFA në KAS, ka lidhje me pretendimin se 22-vjeçarit iu dha përpara kohe nënshtetësia shqiptare, diçka që në Federatë e cilësojnë normale si procedura të një shteti të caktuar siç është Shqipëria. Nëse vendimi do të jetë që Bajrami të mund të luaje për Shqipërinë, trajneri Edi Reja pritet ta grumbullojë menjëherë për ndeshjet eleminatore të Botërorit ndaj Polonisë e Hungarisë.

Sfidanti.al